Maqedonia e Veriut sot (8 shtator) kremton 34 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, gjegjësisht shkëputjes nga ish Federata Jugosllave. Presidenti i parë i ardhshëm i Republikës së Maqedonisë, Kiro Gligorov, në mbrëmjen e 8 shtatorit 1991 masës së tubuar në Sheshin Maqedonia iu drejtua me fjalët: “Ju përgëzoj për një Maqedoni të lirë, sovrane dhe të pavarur. 96.46 përqind e qytetarëve të Maqedonisë votuan në favor të një shteti të pavarur dhe sovran në një referendum.”
Sot, kjo ditë festohet si Dita e Pavarësisë së Maqedonisë dhe shpreh sovranitetin, pavarësinë dhe autonominë e Maqedonisë.
Referendumi në prag të rënies së RSFJ-së më 8 shtator 1991
Duke marrë parasysh situatën në Jugosllavi, e cila ishte në një fazë shpërbërjeje, parlamenti i parë shumëpartiak maqedonas miratoi Deklaratën e Pavarësisë më 25 janar 1991. Kjo u pasua nga vendimi për të thirrur një referendum më 8 shtator 1991, i cili u bojkotua nga shqiptarët pasi Kushtetuta e definonte Maqedoninë vetëm si shtet të maqedonasve, për dallim nga Kushtetuta komuniste e vitit 1974, sipas të cilës edhe shqiptarët ishin popull shtet-formues me të drejta të barabarta me maqedonasit.
Kushtetuta ishte vlerësuar si gjenerator i shumë krizave që e shoqëruan Maqedoninë deri në shpërthimin e konfliktit në vitin 2001, konflikt ku që u mbyll me një marrëveshje paqësore, që çoi në ndryshimin e Kushtetutës me një ridefinim të ri të Maqedonisë, por sërish me probleme edhe 16 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, para se gjithash ato që kanë të bëjnë me gjuhën shqipe dhe të drejtat tjera kolektive të popullatës shqiptare, e cila sipas të dhënave statistikore përbën 25 për qind të popullsisë dy milionëshe.

Më 8 shtator 1991, një shumicë bindëse – 95% e qytetarëve që votuan në referendum, iu përgjigjën pozitivisht pyetjes së referendumit: “A jeni në favor të një Maqedonie të pavarur me të drejtën për t’u bashkuar me një bashkim të ardhshëm të shteteve sovrane të Jugosllavisë?”

Fleta e votimit për referendumin e 8 shtatorit 1991
Sipas të dhënave zyrtare, nga 1,495,626 votues, votuan 1,132,981 qytetarë me të drejtë vote ose 71.85 përqind, dhe nga numri i përgjithshëm i qytetarëve që votuan në Referendum, 1,079,308 qytetarë, ose 95.09 përqind (ose 72.16% e numrit të përgjithshëm të qytetarëve me të drejtë vote), votuan pozitivisht. Vetë rezultatet flasin për suksesin e Referendumit. Raporti zyrtar i Komisionit për Zhvillimin e Referendumit thotë se nuk u paraqitën kundërshtime ose ankesa në lidhje me mënyrën se si u zhvillua për shkak të parregullsive ose shkeljeve të dispozitave të Ligjit për Referendumin e Republikës. Komisioni vuri në dukje shumicën dërrmuese të qytetarëve me të drejtë vote në Maqedoni që votuan “për” një Maqedoni të pavarur dhe sovrane.
Titujt kryesorë të gazetës së përditshme “Nova Makedonija” mbi referendumin e 8 shtatorit 1991
Referendumit i parapriu një Deklaratë Pavarësie që parlamenti i parë shumëpartiak maqedonas e miratoi më 25 janar 1991.
Pas mbylljes së qendrave të votimit, qytetarët u mblodhën spontanisht në Sheshin “Maqedonia” në qendër të Shkupit, ku Radioja e Maqedonisë organizoi një ceremoni të titulluar ‘Zëri për Maqedoninë’, me performanca nga qindra yje të muzikës pop. Ndërsa qytetarët e shumtë të mbledhur në shesh prisnin me padurim që autoritetet e atëhershme qeveritare të dilnin dhe të shpallnin zyrtarisht rezultatet e referendumit, anëtarët e grupit të atëhershëm popullor maqedonas “Memorija” filluan të luanin këngën e tyre të kultit “Maqedonia” nga Dado Topiç në orën 23:50. Qytetarët e mbledhur, të cilët sipas vlerësimeve të policisë në atë kohë numëronin më shumë se 50,000, e kënduan atë në unison.
Presidenti i parë i ardhshëm i Republikës së Maqedonisë, Kiro Gligorov, iu drejtua popullit maqedonas me një fjalim historik: “Qytetarë të Maqedonisë, më lejoni sonte t’ju përgëzoj ju dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë për një Maqedoni të lirë, sovrane dhe të pavarur.”
Dhjetë ditë pas votimit, shteti i pavarur maqedonas shpalli shkëputjen e tij nga Jugosllavia. Shkëputja e Maqedonisë nga konfederata jugosllave ndodhi në mënyrë paqësore dhe pa gjakderdhje. Që atëherë, 8 shtatori është bërë një festë kombëtare – Dita e Pavarësisë – me festime që zhvillohen në të gjithë vendin.
Përveç problemeve të brendshme etnike, Maqedonia që nga periudha e pavarësisë është përballur edhe me probleme me fqinjët e saj. Greqia një kohë të gjatë nuk e pranonte emrin, për shkak se maqedonasit e tanishëm sipas Athinës, nuk kanë asnjë lidhshmëri me maqedonasit antik, por edhe për shkak të kontesteve tjera. Probleme kishte edhe me Bullgarinë për shkak të gjuhës, ndërsa me Serbinë lidhur me kishën. Probleme të hapura Maqedonia nuk ka vetëm se me Kosovën dhe Shqipërinë, por estabilishmenti politik maqedonas nuk tregoi asnjëherë mirënjohje ndaj shqiptarët, të cilët janë i vetmi popull në Ballkan që nuk e mohon identitetin nacional të maqedonasve. KJo mirënjohje mungoi edh atëherë kur Shqipëria ishte ndër shtetet epara që e njohu pavarësinë e Maqedonisë/ GazetaFAKTI
