Nëse nuk kemi guxim të pyesim popullin për të vërtetën e burgjeve që ndërtojmë, atëherë nuk jemi më as qytetarë, as të lirë – jemi vetëm dëshmitarë të një vetëdënimi kolektiv.
Nga Dijana TOSKA
Pas lufte në Kosovë, në një emision debativ, kisha ftuar si mysafirë të burgosurit e Dubravës. Ishte një përjetim tronditës: histori të gjalla tragjedish që rendojnë mbi shpirtin e një populli të pafajshëm, të dënuar dikur në emër të popullit nga një sistem komunist që kriminalizonte pafajësinë.
Sot, në demokraci, me votë të lirë zgjedhim liderë dhe prokurorë të korruptuar që, me politikat e tyre dënojnë e burgosin heshtjen e një populli të lodhur.
Dikur, në emër të popullit, në sallat e diktaturës kërkohej pranim i fajësisë si dëshmi për moralin e një sistemi të drejtë e ideologjik që pretendonte të ishte më i gjallë se vetë populli.
Sot, në një demokraci të shitshme që prodhon padrejtësi, kërkohet duartrokitje publike për dënimin e popullit në emër të tijë, duke e shndëruar sistemin në një tragjedi politike që dënon veten me votën e vet të burgosur.
Dhe kështu, në emër të popullit, ndërtohen burgje të reja, një here me mure, pastaj me premtime. Nga diktatura me pranga kaluam në demokraci me duartrokitje.
Kështu jeta vazhdon të ec e dënuar nga jeta e një populli që nuk gjen kohë të pyes veten, athua, ku është shpëtimi. Te pafajësia apo heshtja traumatike.
Dikur, një libër i fshehur, një fjalë e shkruar shpallej krim i dijes. Nga frika pushteti burgoste librin. Sot, ne votojmë kandidatë me doktoratura false, që skanë lexuar kurrë asnjë libër, si dëshmi të servilizmit ndaj një pushteti që ngrit burgje mbi padijen.
Dikur, në burg flitej shqip për ti mbajtur më lehtë zinxhirët e hekurta. Sot, na pëlqen të flasim gjuhë të huaja që na kërkon dikush tjetër, për ti tharë rrënjët tona.
Dikur, feja ishte e ndaluar. Luteshim në heshtje, në shtëpi, me zemër, nga frika se mos ndonjë spiun po dëgjonte lutjen shqip drejtuar Zotit . Sot, Dritën e Zotit nga oxhaku e kemi nxjerrë në rrugë dhe është terri ai që po na meson se Zoti është frikë, jo dashuri.
Isha e re kur baba, nga fundi i dollapit nxirrte të palosur flamurin kombëtar. I vinin shokët e idealit, natën, për ta shënuar 28 Nëntorin, simbolin e ndaluar të krenarisë . Sot, flamuri me shqiponjën dykrenare nga simbol sakrifice është kthyer në dekor marketingu për vithe që shetisin në bregdetet e VIP-ave.
Dikur ideologjia jugosllave promovonte vëllazërim bashkimin dhe përmes UDB-ës burgoste shqiptarët në emër të nacionalizmit e iredentizmit.
Sot UDBA, përcakton se kush do të jetë lider shqiptar, sërish në emër të “bashkëjetesës”. Ish presidenti, Stevo Pendarovski, këto ditë na rrëfeu të vërtetat e dosjeve secrete. Duke na treguar trashigimin e kësaj historie, ai na tha se, kemi votuar lider që kanë hequr dorë nga të drejtat kombëtare vetëm e vetëm për të mbetur në pushtet dhe shfrytëzuar mundësinë për tu bërë milioner, sërish në emër të popullit.
Kjo “liri” e votuar, nuk është më liri, është një burg shpirtëror. Janë zingjirët e rinj të prokurorëve të demokracisë, që ndërtojnë burgje nga frika, ligji dhe indiferenca. Një system sa tallës aq injorant që përmes drejtësisë kërcnon lirinë si një rrezik që duhet burgosur në emër të popullit për popullin që pranon të jetojë pa dinjitet.
Duke kërkuar shpëtim nga vetvetja jemi duke ndërtuar një identitet të ri, të një kombi të traumatizuar që fsheh plagët e vuajtjes duke harruar të jetoj i lire nga frika.
Dikur UDB-ja, pas torturave ndaj të burgosurit, në emër të “humanitetit” ftonte mjekun ligjor për të parë sa gjatë mund ti qëndronte trupi grushtit të shtetit.
Sot grushti më i rëndë nuk vjen nga shteti, por nga vetëdija e dehumanizuar që ka grushtuar ndërgjegjen tonë kolektive
Nëse duam të jemi të lirë vërtet, duhet t’i njohim e shërojmë plagët tona. T’i dëgjojmë zërat e të burgosurve të së kaluarës dhe të sotmes. Të bëjmë çdo përpjekje që brezat e ardhshëm, nesër mos të na gjykojnë si një popull që e ka pranuar burgun si pjesë të identitetit të vet.
Të zgjedhim përgjegjësinë që na bën njerëz. Të guxojmë të mos e tradhtojmë më veten ti kthehemi arsimimit dhe edukimit qytetar e human.
Nëse nuk kemi guxim të pyesim popullin për të vërtetën e burgjeve që ndërtojmë, atëherë nuk jemi më as qytetarë, as të lire. Jemi vetëm dëshmitarë të një vetëdënimi kolektiv.
Në emër të popullit, më në fund, le ta pyesim këtë popull:
Çfarë të mire i sollën burgjet që aq shumë i duam?
Shkup, 23 korrik 2025