Parazitët e opinionit e kanë për qejfi të thonë se “nuk merren me politikë”, sepse nuk kanë kohë, “janë të zënë me shkencë”. Mirëpo, kur i pyesni se çka kanë arritur në shkencë, ata në maje të gjuhës e kanë një arsyetim: na kanë penguar politikanët! Dhe harrojnë se pikërisht falë politikanëve, ata janë bërë dikushat në shoqëri. Akademiku Esat Stavileci me të drejtë thoshte: “Vetëm në politikë, askushi, bëhet dikushi”.
Nga Emin AZEMI
Kush janë parazitët e opinionit? Kryesisht ata që veten e quajnë intelektual, por që mjerisht diplomat e tyre nuk janë shprehje e ndonjë valorizimi dijesh apo punësh intelektuale, studimore, apo shprehje e ndonjë qëndrimi kritik kundrejt devijime shoqërore. Kjo tufë njerëzish që veten e qaujnë intelektual, lexojnë shumë pak, sepse nuk duan të ndikohen nga të tjetër, prandaj janë shumë origjinal me padijen e tyre.
Ata janë parazitë sepse ushqehen me lëvozhgat e deklarateve të politikanëve, prej të cilave krijojnë “menynë” e lojaliteteve, prandaj sot kemi më shumë intelektual partiak, e më pak intelektual të pavarur, më tepër kemi intelektual të punësuar nga partia, e më pak intelektual që refuzojnë poste e funksione në këmbim të heshtjes.
Ata presin të fundit të shprehin publikisht mendimin e tyre, sepse ata parapëlqejnë që të tjerët të pronocohen, kryesisht gazetarët e publicistët, dhe pastaj pa humbur kohë bëjnë “hekurosjen” e diskurseve publike, varësisht nga qëndrimet e shtabeve partiake.
Por, zakonisht, parazitët e opinionit e kanë për qejfi të thonë se “nuk merren me politikë”, sepse nuk kanë kohë, “janë të zënë me shkencë”. Për ta, shkenca është e para, pastaj vinë të tjerat.
Mirëpo, kur i pyesni se çka kanë arritur në shkencë, ata në maje të gjuhës e kanë një arsyetim: na kanë penguar politikanët! Dhe harrojnë se pikërisht falë politikanëve, ata janë bërë dikushat në shoqëri. Akademiku Esat Stavileci me të drejtë thoshte: “Vetëm në politikë, askushi, bëhet dikushi”.
Tani, por edhe në disa kohë të tjera, kur opinion publik shqiptar pret përgjigje të pjekura nga intelektualët dhe njerëzit e dijes, për tema të mprehta që kërkojnë përgjigje të guximshme (arabizimi i shoqërisë, vërshimi i pseudovlerave nëpër insitucione, depërtimi galopant i drogës nëpër shkollat tona, shpopullimi i lagjeve e vendbanimeve tona, largimi i të rinjëve me përgatitje solide profesionale etj.), ata që vetes i thonë intelektual, kanë paraplqyer të heshtin, gjegjësisht të jenë parazitë nëpër bolet e politikanëve. Prandaj, kjo ka qenë, si duket, arsyeja se pse politikanët shpesh kruhen në mes të këmbëve, sa here që t’i pyesin se nga po shkon shoqëria jonë!
Dikush tha se njerëzit që heshtin dhe nuk flasin, këtë e bëjnë sepse janë të mençur, madje edhe kokën e mbajnë disi kacavjerrët, si kajzit e grurit.
Por, e vërteta është se njerëzit që heshtin, nuk dinë çka të flasin, thjesht atyre u mungon përgatitja adekuate për t’iu përgjigjur çështjeve të hapura të shoqërisë, për t’u përballur me sfidat që imponon koha. Mirëpo, për habi, të gjithë ata që heshtin dhe i mbyllin sytë para padrejtësive të shumta, i ke nëpër lista kadrovike-partiake, nëpër shkolla e universitete, ku nuk është e domosdoshme të kesh diplomë adekuate. Majfton të kesh librezë partiake dhe një sasi të pakontrollueshme të injorancës për të qenë militant partiak.
Në një fshat të Komunës së Likovës, para do vitesh kishte ndodhur që në konkursin për arsimtar kimie, nuk ishte pranuar kandidati që kishte diplomuar në këtë degë, por një tjetër që kishte qenë absolvent i fizikës (!). Ky i fundit çuditërisht i kishte plotësuar kushtet, edhe pse nuk kishte diplomë adekuate, por kishte qenë anëtar i partisë në pushtet, kurse ai tjetri nuk kishte fat t’i gëzohet diplomës, sepse nuk e kishte pasur privilegjin të jetë me pushtetin (!).
Një rast tjetër, kishte ndodhur në Kumanovë. Një mjeke që kishte mbaruar studimet (në Universitetin e Shkupit) me notë mesatare 9.8 nuk ishte pranuar në Spitalin e Qytetit. Në vend të saj ishte pranuar një mjeke me notë mesatare 6.00 gjatë studimeve (në Universietin e Tetovës). Kjo e fundit, bija e një zvarraniku partiak, pranohet, kurse refuzohet ajo tjetra, një superintelgjente në fushën e mjekësisë, por pa mbështetje partiake (!) dhe detyrohet të ikë jashtë vendit. Pa humbur kohë punësohet në një klinikë të Gjermanisë, ku edhe ka vazhduar specializimin.
Degradime të tilla ndodhin për çdo ditë para syve të atyre që vetes i thonë intelektual. Shoqëria jonë po vuan nga dy sëmudje të rënda: nga keqbërja e politikës dhe nga poltronizmi i gërditshëm i pseudointelektualëve. Ata vazhdojnë të heshtin sepse nuk kanë kredibiltet moral e profesional t’iu thonë stop devijuime të tilla. Ata heshtin para një sherifi lokal të partisë i cili kur e kishte kryer shkollën e mesme, iu kishte kujtuar se i mungonin nja dy vite të fillores. Aleanca e sherifëve lokal të partisë janë gangrenë shkatërrimtare e shoqërisë sonë, sepse ata vendosin kush duhet të punësohet, kush të bëhet ambasador, kush duhet të merr ndonjë vend atraktiv për ndërtim, kush duhet të futet në disa borde dhe të kullufit disa mijëra euro duke ndejt në shtëpi, dhe plot të tjerë që në emër të lojalitetit partiak përfitojnë privilegje e favore pa qenë nevoja të posedojnë ndonjë përgatitje profesionale. Ata, mjafton të urrejnë oponentët tjerë politik, të stigmatizojnë ndonjë gazetarë që është kritik ndaj tyre dhe, përfundimisht, kur të vinë zgjedhjet ta bëjnë punën sa më llugë në mënyrë që fitorja e tyre të duket jo si garë në mes të vlerave konkurruese, por si kacafytje për jetë a vdekje!
Aleanca e sherifave lokal dhe atyre që vetes i thonë intelektual, sa është e heshtur, po aq është edhe e çuditshme, sepse askund tjetër në botën normale nuk ndodhë që një kokëtul partiak të gjejë gjuhë të përbashkët me një intelektual të mirëfillt. Kjo aleancë po ndodhë me disa frymorë që vetes i thonë intelektualë, rruga e të cilëve deri te diploma ka kaluar nëpër semaforë të çuditshëm (madje edhe të prishur qëllimisht).
Parazitët e opinionit nuk marrin mundin të mësojnë gjuhë të huaja, sepse vetmjaftohen me të folmen e katundit të tyre, prandaj kur i dëgjon teksa llomotisin në ndonjë foltore, të përzihet stomaku nga e folmja e tyre jostandarde dhe e kapluar me fonema, e dialektema që vetëm lagja e tyre i kupton. Por, kjo nuk paraqet kurrfarë pengese për t’u avancuar në kierarkinë partiake, dhe për t’u dukur mjaft interesantshëm në sytë e liderit. Të tillë ke në shumë institucione shtetërore me kompjutor që nuk dinë t’i përdorin dhe nëpër ambasada, të cilët duduk kanë shkuar dhe duduk janë kthyer, me fleta të bardha të fjalive të pashkruara në ditarin e punëve të pabëra.
Një ditë e zakonshme e një paraziti të opinionit duket kështu: Në vendin e punës që e ka fituar si trofe i lojalitetit partiak, e jo i meritës profesionale, shkon kur t’i teket, rrogën e merr çdo muaj, kurse e ke shumë të pranishëm nëpër lokale, sidomos në çajtore dhe mbytet në djersë duke shitë mend se sa i aftë është të merr rrogë pa punuar.
Dhe kur ndodhë të shkojë ndonjë herë në punë, e thërret në ndihmë ndonjë koleg t’ia bëjnë gati kompjutorin, jo për të shkruar diçka, por për të vazhduar lojën e letrave të lënë përgjysmë disa ditë më herët, kurse në duar mbajnë ndonjë lopatëz të vockël prej plastikës me të cilën mbysin (lexo:tredhin) miza, sepse vetëm mizat dinë t’ua prishin komoditetin. Atyre, askush tjetër nuk ua prishë rehatinë, sepse vendin e punës e kanë fituar me brrylosje dhe në aleancë me sherifin lokal të partisë.
Të gjithë të tjerët, që kohën e kalojnë në monotoninë e çdo ditshme të punëve që duhet kryer, përfundojnë ditët dhe javët pa mirënjohje dhe pa vëmendjen e atyre që vetes i thonë intelektualë. Këta të fundit asgjë nuk shohin. Ata e shohin vetëm veten dhe karrierën që iu bëhet e famshme brenda natës, por e palavdishme. Ata, harrojnë se një karrierë e tillë, e pamerituar dhe e pavalorizuar në kandarin e vlerave, për çdo ditë iu varet në qafë si një gurë i rëndë për të përfunduar me lehtë në kënetën e madhe të shijeve meskine që po na i imponin politika e keqe.
Shkup, 20 shtator 2025
