• E diel, 31 Maj, 2026

Shefi i NATO-s: Presim nga Serbia të mbajë përgjegjës autorët e sulmit në Banjskë

EA
Dhjetor02/ 2025

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka thënë se presin nga Serbia që përgjegjësit për sulmin terrorist në Banjskë të vitit 2023 t’i sjellë para drejtësisë. Rutte ka thënë se për këtë ka folur me presidentin serb, Vuçiç, i cili siç tha Rutte i ka thënë se do të punojë në këtë drejtim.

“Paraardhësi im ka punuar për këtë çështje më presidentin e Serbisë, Alexander Vuçiçin. Edhe unë kam folur vet më të, dhe ai më tha se do të punojë në këtë, dhe ne presim nga autoritetet serbe të kryejnë pjesën e tyre në këtë drejtim”, ka thënë Rutte për Tëvë1, para takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s.

Ai ka thënë janë duke e ndjekur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe se NATO do të ndihmojë në këtë proces.

Në shtator të vitit 2023 grupi terrorist nga Serbia kreu sulm në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.

Udhëheqës i këtij grupi ishte ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç. Ndaj 45 pjesëtarëve të këtij grupi Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë.

Ndërsa, tre pjesëtarët e këtij grupi të kapur gjatë aksionin nga Policia e Kosovës janë duke u gjykuar.

Spread the love