Kryeministri Hristijan Mickoski dhe anëtarët e kabinetit të tij, erdhën mbrëmë në një pritje ceremoniale të organizuar nga Zëvendëskryeministri i Parë Izet Mexhiti me rastin e 24 vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Mexhiti kujtoi se muaji gusht mbart simbolikë të fortë për vendin, pasi bashkon Ilindenin dhe Marrëveshjen e Ohrit. “Ato nuk duhet të ekzistojnë vetëm në kalendar, por edhe në vetëdijen tonë kolektive. Vetëm përmes përpjekjeve të përbashkëta, sakrificës dhe dialogut mund të ndërtojmë një shoqëri funksionale, të drejtë dhe demokratike”, tha ai.
Ai theksoi se marrëveshja është një akt vizionar dhe një detyrim historik për një vend në të cilin çdo qytetar është i barabartë, i përfaqësuar dhe i respektuar. “Shqiptarët, maqedonasit dhe të gjitha komunitetet e tjera etnike nuk janë vetëm pjesë e vendit – ata janë bashkëthemeluesit e tij”, tha Mexhiti.
Në prag të zgjedhjeve lokale më 19 tetor, ai bëri thirrje për ruajtjen e besimit, pjekurisë institucionale dhe përgjegjësisë politike. “Qytetarët presin punë, jo zhurmë. Ata presin zgjidhje, jo justifikime”, tha Zëvendëskryeministri i Parë.
Mexhiti përfundoi me mesazhin se kujtimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit duhet të mbetet një detyrim i përhershëm për një shoqëri më të drejtë, më të barabartë dhe më të bashkuar, ku shtëpia e përbashkët – Republika e Maqedonisë së Veriut – do të mbrohet dhe promovohet për brezat e ardhshëm.
Nga qeveria konfirmuan se ftesa për pjesëmarrje u ishte dërguar udhëheqjes shtetërore, partive opozitare dhe përfaqësuesve diplomatikë. Një ftesë iu dërgua edhe Presidentes së shtetit Gordana Siljanovska Davkova, por ajo nuk mori pjesë në këtë ngjarje. Marrëveshja Kornizë e Ohrit u nënshkrua më 13 gusht 2001, e cila i dha fund luftës në Maqedoni./ GazetaFAKTI
