• E martë, 21 Tetor, 2025

Edi Rama përgatitet për jetën pas politikës, kontratë me një Galeri Arti prestigjioze në Berlin

EA
Tetor11/ 2025

Politika është e lodhshme, sidomos kur duhet të mbash mbi supe disa nga skandalet më të mëdha të vendit, e kur sheh njerëzit më të afër të shkojnë një nga një drejt qelive. Ndaj, duket se kryeministri Edi Rama po përgatitet për jetën pas politikës, duke iu drejtuar një tjetër fushe që e njeh mirë, artit.

Galeria prestigjioze “Societe” në Berlin ka njoftuar se tashmë përfaqëson Ramën si artist, duke i hapur atij rrugën drejt ekspozitave ndërkombëtare. Kjo kontratë shënon një hap të rëndësishëm drejt një rikthimi më të plotë të Ramës në botën e artit, raporton ARTnews.

Në fokus të bashkëpunimit me galerinë janë veprat e tij në qeramikë dhe punimet abstrakte mbi letra, shpesh të realizuara mbi dokumente të ricikluara zyrtare.

Artikulli i ARTnews:

Galeria Société në Berlin Tashmë Përfaqëson Edi Ramën, Kryeministrin e Shqipërisë

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë prej më shumë se një dekade, nuk është aspak i panjohur për botën e artit. Ai ka studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranën e tij të lindjes, ku ka qenë edhe pedagog. Në vitet ’90, ka punuar si artist në Paris, përpara se të rikthehej në Shqipëri në vitin 1998 për të shërbyer si ministër i Kulturës. Në vitin 2000 u zgjodh kryetar bashkie i Tiranës, ndërsa në vitin 2013 u bë kryeministër i vendit.

Megjithatë, njoftimi se galeria e njohur e artit bashkëkohor Société do të përfaqësojë Ramën si artist, ishte një surprizë për shumëkënd — madje edhe për vetë njohësit e artit tek ARTnews! Rama i bashkohet një grupi ndërkombëtar artistësh në përfaqësimin e Société, mes të cilëve Trisha Baga, Lu Yang dhe Petra Cortright.

Vitin e kaluar, galeria Marian Goodman ekspozoi punët e tij në hapësirën e saj në Paris: skulptura qeramike me ngjyra të forta që ngjasojnë me forma të nxjerra nga një shkëmb koralesh, si dhe vepra abstrakte në letër — shumë prej tyre të realizuara mbi faqe kalendarësh — dhe letër-muri artistike.

Një profil i Ramës i publikuar në Financial Times në vitin 2016 përmendte se, gjatë një vizite të Angela Merkel-it, atëherë kancelare e Gjermanisë, gjesti i parë i Ramës ishte ta prezantonte me një grup artistësh bashkëkohorë europianë, të cilët ndodheshin në Tiranë për hapjen e Qendrës për Hapje dhe Dialog. Artikulli i FT është i mbushur me anekdota të këndshme që lidhen me artin: zyra e Ramës është plot me kuti lapsash me ngjyra; letër-muri shumëngjyrëshe e mbuluar me vizatimet e tij të përditshme; dhe ai e mësoi “fuqinë magjike të artit” që në fëmijëri, përmes një rotacioni të shpeshtë të pikturave në kuzhinën e gjyshes së tij.

Në galerinë Société, Rama do të prezantojë më shumë nga punët e tij në qeramikë dhe në letër — shpesh të realizuara gjatë takimeve apo telefonatave, mbi dokumente zyrtare të ricikluara — të cilat ai i ka krijuar përgjatë dekadës së fundit.

Galeria ende nuk ka njoftuar një datë për ekspozitën e parë të Ramës.

Spread the love