• E shtunë, 17 Janar, 2026

Hidhet gurthemeli për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër

EA
Korrik01/ 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me përfaqësues të dy komunave të Mitrovicës dhe ministra të kabinetit qeveritar, kanë vendosur të martën gurthemelin për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër, në kuadër të një projekti të përbashkët ndërmjet institucioneve qendrore dhe lokale, raporton Ekonomia Online.

Në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit morën pjesë kryetari i Komunës së Mitrovicës së veriut, Erden Atiq, nënkryetari i Komunës së Mitrovicës së jugut, Arian Tahiri, ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, njëherësh kryesues i Bordit të Përbashkët të dy komunave, Elbert Krasniqi, dhe ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Ndërtimi i këtyre urave po realizohet në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe komunave të Mitrovicës së jugut dhe veriut.

Gurthemeli i urës për kalim të veturave është vendosur më afërsi të objektit të Komunës së Mitrovicës së veriut, ndërsa ura për kalimin e këmbësorëve është vendosur përballë kopshtit të fëmijëve “Gëzimi ynë”.

Këtë lëvizje Kurti po e ndërmerr pavarësisht thirrjeve të Brukselit për përmbajtje.

Të njëjtës thirrje i bëri jehonë edhe ambasada gjermane në Kosovë, e cila thotë se “potencialisht” mund të ketë përshkallëzim në veri të vendit. Gjermanët i sugjerojnë Kurtit që ‘burimet e pakta publike’ t’i riorientojnë në sfida shumë më urgjente.

Ambasada gjermane i ka bërë thirrje qeverisë në detyrë të Kosovës për përmbajtje në lidhje me ndërtimin e dy urave mbi Ibër – paralelisht me urën kryesore, gurthemeli i së cilave do të hidhet sot pasdite.

“Ne e mbështesim plotësisht thirrjen e Bashkimit Europian drejtuar autoriteteve kosovare që të përmbahen nga ndërtimi i dy kalimeve të reja të lumit Ibër në Mitrovicë. Në vend të veprimeve të pakoordinuara dhe potencialisht përshkallëzuese, siç është ndërtimi i dy urave të tjera, duhet të adresohen sfida shumë më urgjente”, tha një zëdhënës i ambasadës gjermane për Gazetën Express.

Ambasada e udhëzoi qeverinë në detyrë që në vend të këtyre lëvizjeve t’i investojë paratë në gjëra që e rrisin mirëqenien e qytetarëve.
Si përgjigje ndaj thirrjeve të tilla, Kurti ka trhënë: “Unë jam kryeministër i Kosovës. Këta janë ministra të Kosovës. Janë kryetar të Komunave të Kosovës. Gjithçka që bëjmë është në përputhje me planet tona, sipas ligjit dhe për të mirën e të gjithë qytetarëve”, ka thënë Kurti.
“Ata që kanë dilema, lirisht mund të na kontaktojnë dhe ua shpjegojmë me përpikmëri dhe durim”, ka deklaruar Kurti

Spread the love