• E diel, 18 Janar, 2026

PO BOSHATISEN SHKOLLAT, SHNDËRROHEN NË QENDRA PËR TË MOSHUARIT!

EA
Gusht12/ 2025

Plakja e popullsisë nga njëra anë dhe emigracioni i vazhduar dhe i pandërprerë ka dhënë impakt në arsimin tonë dhe po çon drejt uljes se numrit te popullsisë. Krahasuar me vitin 2023, në shkollat ​​fillore dhe të mesme në Tetovë, janë regjistruar 1300 nxënës më pak se në vitin 2024.

Në 10 vitet e fundit, mbi 350 shkolla publike janë mbyllur në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, duke reflektuar një krizë të thellë demografike dhe arsimore në rajon.

Sipas të dhënave zyrtare, 295 shkolla publike janë mbyllur në Shqipëri nga viti 2012 deri më 2022. Në Kosovë janë mbyllur 40 shkolla në periudhën 2013-2023, ndërsa në Maqedoninë e Veriut, numri lëviz nga 30 deri në 44 shkolla të mbyllura. Këto nuk janë thjesht të dhëna statistikore, por është një kambanë alarmi për të ardhmen e shoqërive tona.
Trendi i mbylljes së klasave në shkollat ​​fillore dhe të mesme në Tetovë, bie fjala, nuk po ndalet. Statistikat e vitit të kaluar shkollor janë më të errëta.

Krahasuar me vitin 2023, në shkollat ​​fillore dhe të mesme janë regjistruar 1300 nxënës më pak në se në vitin 2024.

Prindërit janë ende në kërkim të fletshpërnguljeve për fëmijët e tyre dhe shkak, siç theksojnë në sqarimet e tyre, është migrimi në vendet e Evropës Perëndimore.
Në vitin 2000, Gjimnazi i Kërçovës numëronte mbi 1500 nxënës, duke qenë një nga institucionet më të mëdha arsimore në rajon. Sot, kjo shifër është reduktuar në rreth 500 nxënës, një rënie dramatike që pasqyron problemet më të thella të komunitetit. Dy faktorët kryesorë janë emigrimi masiv dhe strukturat e reja familjare, ku gjithnjë e më shumë familje kanë vetëm një ose dy fëmijë.

Shumë prindër vendosin të largohen jashtë shtetit për një të ardhme më të mirë, duke çuar në boshatisjen e fshatrave dhe lagjeve. Kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në sistemin arsimor, duke e vënë në pikëpyetje edhe vetë funksionimin e shkollave në të ardhmen. Nëse ky trend vazhdon, rrezikohet jo vetëm arsimi, por edhe gjallëria shoqërore e qytetit. Kërkohet ndërhyrje e menjëhershme për të ndalur këtë zbrazje të heshtur që po e godet Kërçovën.

Kjo rënie nuk është thjesht statistikë – ajo reflekton një krizë të thellë sociale, ekonomike dhe demografike. Shkollat boshatisen, klasat mbyllen, dhe komunitetet mbeten pa të rinj. Nëse nuk ndërmerren masa serioze për të ndalur këtë trend, Kërçova do të përballet me pasoja të pakthyeshme. Është koha për strategji që sjellin shpresë, investime dhe kthim të banorëve në vendlindje, shkruan TV Gurra.
Numri i përgjithshëm i nxënësve në institucionet publike parauniversitare në Kosovë ka shkuar duke rënë vazhdimisht në mënyrë drastike. Po ashtu edhe numri i studentëve të rinj në institucionet publike ka rënë dukshëm.

Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin shkollor 2015/2016 numri i nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme ka qenë 367 mijë e 940, ndërsa në vitin 2023/2024 ky numër ka rënë në 291 mijë e 882 nxënës ose 76 mijë e 58 më pak në vit.

Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i nxënësve në klasën e I të shkollës fillore në vitin shkollor 2015/2016 ka qene 26 mijë 959 nxënës, ky numër në vitin 2023/2024 ka rënë në 22 mijë e 765 nxënës, ose katër mijë e 194 vetëm në klasën e parë. Ndërsa, në një përgjigje me shkrim nga Ministria e Arsimit, numri i nxënësve të klasës së parë në sektorin publik dhe privat në vitin shkollor 2023/2024 është 23 mijë e 870m raporton KosovaPress.

Rënia e natalitetit, emigracionit drejt vendeve perëndimore dhe rrjedhimisht edhe zbrazja e fshatrave, janë faktorët kryesorë që kanë çuar në mbylljen e qindra institucioneve arsimore.

Në Shqipëri, situata ka sjellë një disbalancë të pazakontë në raportin mësues-nxënës. Në disa raste raporti është 7 mësues për 3 nxënës. Situata më e vështirë është në zonat rurale nga ku familjet largohen drejt qyteteve për një jetë më të mirë, shkruan TRTBalkan.

Në Kosovë, ka shkolla që funksionojnë me vetëm 5-10 nxënës, madje në disa raste edhe më pak. Numri i nxënësve në arsimin e mesëm në vitin 2024/2025 ishte 63.551.

Krahasuar me vitin paraprak 2023/2024 (që ishin 65.757 nxënës), respektivisht për brenda një viti numri i nxënësve në arsimin e mesëm ka rënë për më shumë se 2.000.

Në Maqedoninë e Veriut, ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, ka propozuar shndërrimin e objekteve shkollore të mbyllura në qendra për të moshuarit, një vendim që thekson edhe më shumë zhvendosjen demografike. Më pak të rinj, më shumë të moshuar.
Sociologët shprehen se kjo vjen si pasojë e uljes së numrit të popullsisë, një alarm që sipas tyre, duhet vlerësuar në shoqërintë tona.
Një tjetër faktor ndikues, sipas demografëve , është procesi i rritjes së moshës mesatare të popullsisë. Viteve të fundit rënia e lindshmërisë ka nisur të shfaqet edhe në Maqedoni, Shqipëri dhe në Kosovë.

Plakja e popullsisë nga njëra anë dhe emigracioni i vazhduar dhe i pandërprerë ka dhënë impakt në arsimin tonë dhe po çon drejt uljes se numrit te popullsisë./ GazetaFAKTI 

Spread the love