Ushtria Izraelite (IDF) njoftoi sot se ka nisur përgatitjet për një tërheqje të pjesshme të trupave të saj nga Rripi i Gazës , si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të pengjeve me Hamasin.
Në një deklaratë, ushtria tha se “në përputhje me udhëzimet e udhëheqjes politike dhe bazuar në vlerësimin e situatës, IDF ka filluar përgatitjet operative për të zbatuar marrëveshjen”.
Si pjesë e këtyre përgatitjeve, ushtria tha se po përgatitet të zhvendosë forcat në “linja të adaptuara të vendosjes në të ardhmen e afërt”.
“IDF vazhdon të mbetet e vendosur në rajon dhe po përgatitet për çdo zhvillim të mundshëm operativ”, thuhet në deklaratë.
Izraeli dhe Hamasi arritën marrëveshjen e shumëpritur të mërkurën vonë për armëpushim dhe për lirimin e pengjeve – që është faza e parë e planit të presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Gazë, e cila ka vrarë mbi 67.000 njerëz dhe ka ndryshuar Lindjen e Mesme.
Vetëm një ditë pas përvjetorit të dytë të sulmit vdekjeprurës të Hamasit – grupit palestinez të shpallur terrorist nga SHBA dhe vende të tjera – i cili e nxiti luftën shkatërruese në Gazë, bisedimet e tërthorta në Egjipt sollën një marrëveshje për fazën fillestare të planit 20-pikësh të Trumpit për të sjellë paqe në enklavën palestineze.
Nëse zbatohet plotësisht, marrëveshja do t’i afronte të dyja palët më shumë se çdo përpjekje e mëparshme për t’i dhënë fund një lufte që u shndërrua në një konflikt rajonal, duke përfshirë vende si Irani, Jemeni dhe Libani, duke thelluar izolimin ndërkombëtar të Izraelit dhe duke ndryshuar dinamikat në Lindjen e Mesme.
Lajmi për marrëveshjen nxiti festë në Izrael, Gazë dhe më gjerë.
Familjet e pengjeve izraelite hodhën fishekzjarrë, ndërsa palestinezët duartrokitën dhe brohoritën me shpresën se gjakderdhja do të ndalet.
“Falënderuar qoftë Zoti për këtë armëpushim, për ndaljen e gjakderdhjes dhe vrasjeve”, tha Abdul Majeed abd Rabbo, banor i qytetit Han Junis në jug të Gazës.
“Nuk jam vetëm unë i lumtur, e gjithë Rripi i Gazës është i lumtur, të gjithë njerëzit arabë, gjithë bota është e lumtur për armëpushimin dhe për fundin e gjakderdhjes”, shtoi ai.
Por, marrëveshja e shpallur nga Trumpi të mërkurën vonë dha pak hollësi dhe la shumë pyetje të hapura që mund akoma mund të bëjnë që ajo të dështojë, ashtu siç ka ndodhur me përpjekjet e mëparshme për paqe.
“Jam shumë krenar të njoftoj se Izraeli dhe Hamasi kanë nënshkruar fazën e parë të Planit tonë të Paqes”, tha Trump në platformën Truth Social.
“Kjo do të thotë se të gjitha pengjet do të lirohen shumë shpejt, dhe Izraeli do të tërheqë trupat e tij deri në një shkallë të dakorduar, si hapat e parë drejt një Paqeje të Fortë, të Qëndrueshme dhe të Përhershme”, shtoi ai.
Zbatimi i marrëveshjes do të përbënte një arritje të rëndësishme në politikën e jashtme për presidentin republikan, i cili kishte premtuar të sillte paqe në konfliktet kryesore botërore, por ka hasur në vështirësi për t’i realizuar ato shpejt, si në Gazë, ashtu edhe për pushtimin e Ukrainës nga Rusia.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se do ta thërrasë kabinetin e vet qeveritar të enjten për të miratuar marrëveshjen.
“Me miratimin e fazës së parë të planit, të gjitha pengjet tona do të kthehen në shtëpi”, tha ai në një deklaratë.
“Kjo është një arritje diplomatike dhe një fitore kombëtare e morale për shtetin e Izraelit”, shtoi ai.
Hamasi konfirmoi se ka arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, duke thënë se ajo përfshin tërheqjen izraelite nga enklava dhe një shkëmbim pengjesh me të burgosur.
“Ne pohojmë se sakrificat e popullit tonë nuk do të jenë të kota dhe se do t’i qëndrojmë besnikë zotimit tonë; kurrë nuk do t’i braktisim të drejtat kombëtare të popullit tonë derisa të arrihet liria, pavarësia dhe vetëvendosja”, tha Hamasi.
Autoritetet e Gazës thonë se mbi 67.000 njerëz janë vrarë dhe pjesa më e madhe e enklavës është shkatërruar qëkurse Izraeli e filloi ofensivën ushtarake pas sulmit përtej kufirit nga Hamasi më 7 tetor 2023.
Sipas zyrtarëve izraelitë, rreth 1.200 njerëz u vranë më Izrael dhe 251 u morën peng e u dërguan në Gazë. Besohet se 20 nga 48 pengjet e mbetura në Gazë janë ende gjallë.
Pavarësisht shpresave për t’i dhënë fund luftës, ende nuk janë bërë të ditura hollësitë thelbësore – përfshirë afatet kohore, administrimi i Rripit të Gazës pasluftës dhe fati i Hamasit.
Netanyahu dhe Trump përshëndesin ‘arritjen historike’ të marrëveshjes së Gazës
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu foli me Presidentin e SHBA-së Donald Trump dhe të dy shkëmbyen urime për “arritjen historike” të arritjes së një marrëveshjeje që parashikon një armëpushim në Rripin e Gazës dhe lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura në enklavën palestineze, njoftoi zyra e të parit.
“Me miratimin e fazës së parë të planit, të gjithë pengjet tona do të kthehen në atdheun e tyre. Ky është një sukses diplomatik dhe një fitore kombëtare dhe morale për Shtetin e Izraelit.
Që nga fillimi, e kam bërë të qartë: nuk do të pushojmë derisa të kthehen të gjithë pengjet tona dhe të arrihen të gjitha qëllimet tona.
Përmes vendosmërisë së palëkundur, veprimit të fortë ushtarak dhe përpjekjeve të mëdha të mikut dhe aleatit tonë të madh, Presidentit Trump, kemi arritur në këtë pikë kthese kritike.
Falënderoj Presidentin Trump për lidershipin e tij, bashkëpunimin e tij dhe angazhimin e tij të palëkundur për sigurinë e Izraelit dhe lirinë e pengjeve tona.
Zoti e bekoftë Izraelin.
Zoti e bekoftë Amerikën.
“Zoti e bekoftë aleancën tonë të madhe.”
Të dy ranë dakord të vazhdojnë bashkëpunimin e tyre të ngushtë dhe Kryeministri Netanyahu e ftoi Presidentin Trump të mbante një fjalim në Knesset, parlamentin izraelit, sipas të njëjtit burim.
Qeveria izraelite pret që pengjet në Rripin e Gazës të fillojnë të lirohen të nesërmen e së shtunës, tha një zëdhënës për Reuters, menjëherë pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi një marrëveshje për fazën e parë të një armëpushimi. Ai nuk specifikoi nëse priste që të 48 pengjet, të vdekur dhe të gjallë, të liroheshin menjëherë.
Më parë, Netanyahu tha se do të thërriste një mbledhje të kabinetit më vonë gjatë ditës për të miratuar marrëveshjen e armëpushimit në Gaza, e cila përfshin riatdhesimin e të gjithë pengjeve që mbeten në duart e Hamasit.
Është “një ditë e madhe për Izraelin”, tha Netanyahu në një deklaratë pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës që ka zgjatur më shumë se dy vjet, njoftojnë mediat botërore.