Në Tiranë, nga 13-14 tetor, do të mbahet Forumi i Investimeve BE-WB6 (Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor). Forumi synon të forcojë bashkëpunimin ekonomik dhe mundësitë e investimit midis vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) dhe shteteve anëtare të Bashkimit Evropian
Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama, i cili, në një postim në rrjetin social Facebook, deklaroi se kjo është një ngjarje historike dhe “një hap tjetër i rëndësishëm për të forcuar bashkëpunimin dhe zhvillimin ekonomik në rajon”.
“Tirana do të presë Forumin e Investimeve BE-WB6 (Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor) nga 13 deri më 14 tetor, një ngjarje historike që bashkon vendet e Ballkanit Perëndimor, vendimmarrësit e Bashkimit Evropian dhe investitorët nga e gjithë bota”, shkroi Rama.
Forumi synon të forcojë bashkëpunimin ekonomik dhe mundësitë e investimit midis vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) dhe shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.
I mbështetur nga Komisioni Evropian, ky forum është pjesë e strategjisë më të gjerë të BE-së për të promovuar integrimin rajonal dhe konvergjencën socio-ekonomike, duke nxitur zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në të gjithë rajonin.
“Bashkimi Evropian dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (WB6) ndodhen në një moment vendimtar në udhëtimin e tyre të përbashkët ekonomik dhe politik. Ndërsa BE përpiqet të ringjallë dinamizmin e saj ekonomik dhe të sigurojë konkurrueshmërinë e saj globale, Ballkani Perëndimor po shfaqet si një kufi i ri premtues për investime” transmeton agjencia ATSH.
Forumi shërben si një platformë strategjike për të forcuar bashkëpunimin ekonomik, për të tërhequr investime të huaja direkte dhe për të përshpejtuar integrimin e ekonomive të Ballkanit Perëndimor në tregun e vetëm evropian, duke përfituar vendet e Ballkanit Perëndimor, shtetet anëtare të BE-së dhe kompanitë evropiane.